Sarandë- Një 37-vjeçar, M. T., ka rënë në prangat e policisë, pasi në banesën e tij në fshatin Dhrovjan iu gjetën dhe sekuestruan 1 mitraloz, 2 kallashnikovë, 3 armë zjarri pushkë dhe 4 armë gjahu, 1 granat-hedhës dhe 220 fishekë luftarakë.
Nga policia është shpallur në kërkim edhe i ati i 37-vjeçarit, shtetasi J. T.
Informacioni i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Dhrovjani”.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”.
Sekuestrohen arsenal armësh zjarri dhe municion luftarak.
Arrestohet në flagrance një 37-vjeçar, shpallet në kërkim i ati.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në banesën e një shtetasi në fshatin “Dhrovjan”, Finiq, ishte fshehur një arsenal armësh, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Dhrovjani”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M. T., 37 vjeç dhe u shpall në kërkim i ati i tij, shtetasi J. T.
Shërbimet e Policisë , gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. T., në fshatin Dhrovjan, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material 10 armë zjarri dhe municion luftarak, konkretisht:
1 mitraloz të lehtë, 2 kallashnikovë, 3 armë zjarri pushkë dhe 4 armë gjahu, 1 granat-hedhës dhe 220 fishekë luftarakë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.