Izraeli synon të rihapë ekonominë nga 5 prilli, pasi të ketë vaksinuar të gjithë popullsinë e përshtatshme kundër koronavirusit, si dhe është në bisedime me prodhuesit e vaksinave Pfizer dhe Moderna për të hapur fabrikat e tyre në këtë shtet, ka thënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën.
Izraeli është duke importuar aktualisht vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna. Deri më tani ky shtet ka vaksinuar pothuajse 50 për qind të popullatës me një dozë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Izraeli ka një popullsi prej 9 milionë banorëve dhe aktualisht është një prej vendeve më të shpejta në botë sa i përket vaksinimit.
Të dielën, Izraeli ka rihapur shumë biznese, duke përfshirë dyqanet në rrugë dhe qendrat tregtare, ndonëse disa institucione janë hapur vetëm për personat e imunizuar nga vaksina, apo të shëruarit nga COVID-19. Shumë fëmijë u janë kthyer shkollave, ndonëse fëmijët e shkollave të mesme vazhdojnë të mësojnë nga shtëpitë.
Duke folur para gazetarëve në Tel Aviv, Netanyahu ka thënë se të gjithë izraelitët mbi moshën 16-vjeçare pritet të vaksinohen deri në fund të marsit, duke lejuar hapjen e plotë të ekonomisë në prill. Netanyahu, i cili synon të fitojë prapë pozitën e kryeministrit në zgjedhjet e 23 marsit, ka thënë se është në bisedime me udhëheqësit e kompanive Pfizer dhe Moderna.
“Ne do të krijojmë dy fabrika, të cilat do ta shndërrojnë Izraelin në pjesë të zinxhirit global të vaksinave”, ka thënë ai.
Të martën autoritetet izraelite kanë thënë se do të dhurojnë një sasi të vaksinave kundër COVID-19 për territoret e udhëhequra nga palestinezët dhe për disa shtete tjera, raporton REL.