Duke e konsideruar tregun global të vaksinave si një luftë brrylash së bashku me mbizotërimin e më të fortit, Ministrja e Shëndetësisë kujtoi nga foltorja e parlamentit se vendi ynë ka nënshkruar kontratë me Pfizer për 500 mijë vaksina, duke lënë të nënkuptohej se procesi i vaksinimit vijon intesivisht. Por kjo deklaratë e Ogerta Manastirliut, erdhi një ditë pas zhurmës që krijoi vaksinimi i rreth 80 të moshuarve të konsideruar personalitete duke nisur nga ish presidenti Alfred Moisiu, ish kryeministri Aleksandër Meksi, Margarita Xhepa, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Pirro Milkani apo Tinka Kurti. Një përzgjedhje e tillë, mes dhjetra të moshuarve mbi 80 vjeç u komentua si diskriminues, e madje përfaqësues të shoqërisë civile si Pano Soko e cilësojnë përtej çdo normë ligjore.
“Përzgjedhja e një grupi individësh, për trajtim të diferencuar mjekësor, për arsye që nuk kanë lidhje me situatën e tyre shëndetësore, është anti-kushtetuese”, deklaron Soko për ACQJ.
Deri të mërkurën zyrtarisht janë vaksinuar 9,106 persona që u përkasin të gjitha kategorive. Fushata për vaksinën nisi në stadiumin “Air Albania”, ku mes mjekëve të konsideruar si vija e parë e frontit, përveshi mëngën për të marrë vaksinën edhe Kryeministri apo Ministrja e shëndetësisë. Ky moment u pa si një fazë normale dhe as që u diskutua, teksa ndërkohë në vende të zhvilluara si Gjermania vaksinimi anticovid kishte si kriter moshën, të sëmurët kronikë dhe personelin mjekësor.
Por pikëpyetjet dhe dyshimet u rritën në rrjetet sociale pas vaksinimit në prani të kamerave të personaliteteve. “Kush quhet personalitet? A është mamaja ime personalitet?”, pyet një qytetar në Facebook duke ju shtuar zërave për diskriminim. Por Ministrja e shëndetësisë e dha menjëherë përgjigjjen.
“Më lejoni gjithashtu të shpreh dhe keqardhjen më të thellë për dezinformimin që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikë së pari se ishin mbi 80 vjeç. Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80 vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80 vjeç”, shprehet publikisht Ogerta Manastirliu.
Por Pano Sako këmbëngul se ka vend për replikë: “Sepse, nuk bëhet fjalë për një diferencim financiar, por mjekësor, deontologjia e së cilit duhet të ishte strikshmërisht mjekësore. Çdo formë tjetër përzgjedhjeje është e padrejtë dhe e paligjshme”, thekson për ACQJ, eksperti i ekonomisë.
Replikat u konsideruan të padenja nga kryeministri sipas të cilit “janë 20 e pak persona që i kanë dhënë kaq shumë vendit dhe shoqërisë. Nuk duhet të presim që të ndahen nga jeta për tu mbajtur fjalimet, për tu treguar kujtimet dhe për tu dhënë dhe dekoratat madje sikurse është bërë një trend qesharak në Presidencën e Republikës por të bëjmë atë që mund të bëjmë sot për sot”, këmbënguli Rama duke gjetur madje vendin edhe për të dhënë mesazhe në adresë të presidentit.
Çfarë ndodh nga e diela në “Air Albania”?
Me vitet që duket sikur u rëndojnë akoma më tepër gjatë kësaj pandemie, të moshuar të shumtë çapiten drejt stadiumit “Air Albania”. Dikush pyet për vaksinën, pyet për datën dhe kohën se kur mund ti vijë radha. Dikush kërkon t’i shkruhet diku emri. Një tjetër numëron vitet e jetës, kontributin që ka dhënë, profesionin që ka patur. Ish mësues, ish ushtarakë, ish sportistë. Të gjithë i bashkon dëshira për të jetuar, për të fituar luftën kundër virusit. Përgjatë tre ditëve vëzhgim nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, të gjithë të moshuarit e merrnin përgjigjen refuzuese që në hyrje.
Sakaq sipas burimeve të ACQJ nga e hëna në të shtunë do të vijohet me vaksinimin e personelit mjekësor, ndërsa dita e dielë është përcaktuar për të moshuarit mbi 80 vjeç. Të përzgjedhur apo jo, secili nga të moshuarit vlerësohet nga mjeku i familjes. Por edhe në këtë pikë aktivisti Sako shikon paqartësi. Për këtë argument ai vendos përballë komentet e anëtarëve të Komitetit Teknik që bien në kontradiktë me deklaratat e kryeministrit.
“Kryeministri thotë i zgjodhi Qeveria për shkak të profilit shoqëror, Komiteti thotë i zgjodhën mjekët e familjes. Kjo kontradiktë është butaforike”, e mbyll aktivisti.
Por në një nga daljet publike, zëvendës ministrja Mira Rakacolli i numëroi të përzgjedhurit se ishin rreth 80 persona. Por se si i zgjodhën mes shumë 80 vjeçarëve në kryeqytet, Mira Rakacolli nuk pati asnjë përgjigje për ACQJ.
Mjekët: Të gjithë pacientët janë njësoj
Mjekja e Qendrës Shëndetësore Nr.2 në Tiranë, Adelina Qose shpjegon për ACQJ se mjekët e familjes ndryshe nga sa u pretendua të dielën që lamë pas, nuk i kanë përzgjedhur të moshuarit si personalitete apo jo. “Po, janë dërguar të gjithë emrat e të moshuarve dhe do tu bëhet vaksina të gjithëve nën moshën nga 100 vjeç e poshtë, sipas radhës. Prioritet do kenë ata me sëmundje kronike dhe sigurisht personat që janë më të rrezikuarit. Vaksinimi do të vazhdojë së shpejti. Nuk ka përzgjedhje, të gjithë pacientët janë njësoj. Radha e vetme është mosha e pacientit, të paktën 65 e lart është prioriteti i parë”, insiston mjekja e njohur.
Edhe mjeku Bujar Elezi i angazhuar në Qendrën Shëndetësore Nr.1 në kryeqytet, pranon se ka përcjellë listën me dy të moshuar që u vaksinuan në datën 21 shkurt.
“Njoftova dy persona mbi moshën 90 vjeç të cilët ishin të riskuar, por edhe që nuk kishin probleme shëndetësore që do ndikonin në vaksinimin e tyre, por që nuk ishin personalitete”, sqaron mjeku.
E pyetur nga ACQJ për të njëjtën gjë, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.10, Jonida Diko nënvizon prioritetin për të vaksinuar personat mbi 80 vjeç. “Ndërsa më pas, pjesa tjetër i përket Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë mjekja.
Të moshuarit e zhgënjyer
Por pavarësisht qëndresës së mjekëve që tregohen të prerë dhe përsërisin vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç, emri i ish ushtarakut Novruz Mema nuk ishte në këtë listë. As si personalitet si një ish veteran i luftës së UÇK-së. Sidoqoftë, Mema u rreshtua atë ditë por edhe ditët më pas dhe ndërkohë vazhdon ende të presë. Pasi i vjen radha për tu afruar tek personeli shëndetësor që ka listën për personat që lejohet të hyjnë, përballet me një përgjigje se emri i tij nuk ndodhet në listën e atyre personave që do vaksinohen. Rrotullohet i mërzitur për tu kthyer në shtëpinë e tij, me shpresën se do t’i vijë radha shumë shpejt për tu vaksinuar dhe për të qënë edhe ai njësoj si bashkëmoshatarët e tij të famshëm që u vaksinuan të dielën e kaluar. Sipas tij, mjeku nuk pranon t’ja plotësojë letrat.
“Mbi 80 vjeç do ta bëjnë, të shkojnë tek stadiumi ta bëjnë, kështu e tha në parlament kryeministri Edi Rama. Edhe ne kemi kontribuar kemi qënë veteran luftë të UÇK-së, kemi qënë kuadro dhe kemi drejtuar gjithe jetën, por ne jemi kosh plehrash, shkojmë për të marrë letrën tek mjeku i familjes dhe na thotë se do e bëni kur t’ju vijë radha nga qershori, gushti ose shtatori. Nuk pranon të na i plotësojë letrat me arsyetimin që nuk e kam bërë as unë akoma vaksinën anticovid-19”, shprehet Mema.
I konsideruar si një nga simbolet e vuajtjeve që solli komunizmi, pasi lindi në internim dhe jetoi si i përndjekur politik derisa ra diktatura, Kurt Kola nuk e heq gazetën nga dora dhe as kapelen. Në heshtje afrohet pranë stadiumit “Air Albania” me shpresën se në radhët e personave për të bërë vaksinën duhet të ishte edhe ai, si një person që ka shërbyer për 30 vite si kryetar i të përndjekurve politik. Por ashtu si gjithë moshatarët e tij mbi 80 vjeç që vinin dhe ktheheshin të zhgënjyer prej përgjigjes negative që merrnin edhe 88 vjeçari kthehet pa zgjidhje.
Për ACQJ, Kola shqipëron torturat që ka përjetuar në fëmijëri kur u internua nga Burreli në Berat së bashku me familjen e tij. Kësaj radhe internimi sipas Kurt Kolës ka një kuptim tjetër dhe po kryhet ndaj të moshuarve, që sipas tij po enden nga njëri institucion në tjetrin, në kërkim të një vaksinë.
“Vazhdon burokracia, do të shkosh tek mjeku i familjes, të marrësh kartelën, unë të jap kartën e identitetit, jam mbi moshën 80 vjeç. Nuk jam qytetar i thjeshtë, jam një person shumë i veçantë në Shqipëri, pasi jam persekutuar për 40 vite gjatë komunizmit, por momentalisht jam pa funksion, por për 30 vite kam qënë Kryetar i të Përndjekurve Politik në Shqipëri. Këtu ka burokraci, vazhdon burokracia, jo po artisti, jo po ky. Tani neve na ka ruajtur Zoti edhe do të na ruajë prapë”, thotë 88-vjeçari Kola.
Dhe mes replikave për diskriminim, një tjetër i moshuar, me kontribut në fushën e gazetarisë thekson se ai do ta kishte refuzuar vaksinimin pasi sipas tij kushdo, i njohur ose jo është i rëndësishëm.
“Erdha të marr vesh sesi funksionon, duhet të shkoj te mjeku i familjes se ai ta bën kartelën. Për shkak të kritikave të shumta që janë bërë ndaj kryeministrit, po të isha unë do e refuzoja për egoizëm këtë vaksinim. Duhet të vaksinoheshin edhe personalitete nga fusha të tjera. Unë për shëmbull, do shkoja tek fusha e gjeologji-miniera apo ato që kanë ndërtuar hidrocentralet. Se bien më shumë në sy njerëzit e artit të kulturës, por shoqëria ka njerëz që kanë dhënë kontribut më shumë në vend si bujqit, agronomët”, e mbyll argumentin e tij për ACQJ Dilaver Baxhaku.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga Albanian Center of Quality Journalism