Të tjera detaje kanë dalë në dritë për 32-vjeçarin shqiptar që u plagos dje në mbrëmje në Attika të Athinës.
Një ditë para se të qëllohej me armë, ai ishte ndaluar nga policia pasi ishte pikasur nga policia teksa lëvizte në lagjen omonia me një monopatinë elektrike dhe i veshur me jelek anti-plumb.
Gjatë kontrollit blutë i gjetën një dozë lënde narkotike, ndërkohë që ai u la i lirë nga policia një ditë më pas.
Pikërisht atë ditë, më 26 shkurt, atij iu bë atentat me armë zjarri nga dy persona. CNN grek ngre pyetjen se si ka mundësi që blutë e lanë menjëherë të lirë. Në dëshminë e tij në polici shqiptari kishte thënë se lëvizte me antiplumb pasi i rrezikohej jeta. Policia vendosi ndaj tij masën “detyrim paraqitje”.
Sipas mediave helene shqiptari është një emër i njohur nga autoritetet, pasi ka precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit, vjedhjeve e grabitjeve.
Nuk është hera e parë që shqiptari bie pre e një atentati me armë zjarri, pasi ai ishte plagosur rëndë gjatë një atentati të ndodhur më 26 maj 2019 në Larisa. Shqiptari mbeti i plagosur në këmbë dhe u përpoq të shkonte vetë në spital, ndërsa dy autorët ia mbathën nga vendngjarja duke kërcënuar me armë një taksist.
Policia greke ka nisur hetimet lidhur me atentatin e ndodhur një ditë më parë, ku pista kryesore mbetet ajo e prishës së pazareve të drogës.