Tiranë- Pas njoftimit të Komitetit Teknik për rishikimin e masave të vendosura për dy javët në vijim, Drejtoresha e ISHP, Albana Fico ka thënë se asnjë masë nuk ka vlerë nëse nuk respektohet nga qytetarët.
Fico nuk ka dhënë detaje për mbledhjen e sotme të ekspertëve, por u shpreh se masat duhet t’ju shërbejnë të gjithëve dhe të respektohen nga të gjithë.
“Unë besoj asnjë masë e cila, le të themi, paralajmërohet dhe nuk zbatohet, nuk ka asnjë vlerë. Kjo është qasja ime. Nuk ka vlerë të marrësh masa dhe të mos i zbatosh. Ne bëjmë debate, shikojmë opsione, por besoj që vendimmarrja ka qenë ajo, masat kanë mbetur në fuqi, kemi një lloj selektiviteti në raport me mësimin online të shkollave.
Të jeni shumë të sigurt që në momentin që dakordësohet një masë e cila është e mbështetur nga elementë të gjithanshëm, në radhë të parë shëndeti dhe më pas të gjithë tjerat, do t’ju komunikohet. Ne bisedojmë si në të gjitha grupimet ku ka një përgjegjësi të veçantë, me mendime secili, por në fund duhet të ketë një dakordësi që u shërben të gjithëve. Por edhe njëherë, edhe 100 herë, ju lutem të gjithëve, jo vetëm s’e kemi fituar betejën, mos harroni që jemi ende në dimër… çështja është që ne deri tani, kemi vetëm një gjë në dorë, të zbatojmë masat, ju lutem“- u shpreh Fico.