Festivali i Eurovizionit do të mbahet në maj në Roterdam, nën kushte të rrepta sigurie, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i askujt prej të pranishmëve.
Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) dhe Transmetuesit Hollandezë NPO, NOS dhe AVROTROS kanë vendosur që Eurovision 2021 të mbahet nën bazën e Skenarit B, sipas të cilit:
- Të gjithë që marrin pjesë në Konkursin e Këngës Eurovision në Ahoy Arena të Roterdamit do të duhet të praktikojnë distancimin social.
- Masa të rrepta sa i përket shëndetit dhe sigurisë (përfshirë testimin e shpeshtë të COVID-19). Do të respektohet një protokoll për të mbrojtur artistët, delegacionet dhe ekuipazhin.
- Nëse ka ndonjë delegacion që nuk mund të udhëtojë në Roterdam, artistët e tyre do të interpretojnë “live-on-tape” me një shfaqje të regjistruar.
- Ata që mund të udhëtojnë në Roterdam do të interpretojnë këngët e tyre drejtpërdrejt në skenë.
- Do të ketë 9 shfaqje (6 prova veshjesh, 2 gjysmë-finale dhe 1 finale të madhe), ose pa publik, ose me një audiencë të reduktuar për të lejuar distancën sociale. Kapaciteti përfundimtar do të varet nga udhëzimet e qeverisë lokale.
- Do të ketë aktivitete në qytetin e Roterdamit të mbajtura në një mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.
Megjithëse Skenari B është konfirmuar, nëse rrethanat ndryshojnë në javët në vijim, gjithçka mund të ndryshojë. Vendimi përfundimtar nëse do të ketë publik në festival do të merret në një moment të dytë. Numri i njerëzve në secilin delegacion është zvogëluar masivisht nga edicionet e mëparshme. Numri i gazetarëve që mund të marrin pjesë në event do të jetë gjithashtu i kufizuar.
Të gjithë atyre që marrin pjesë në Konkursin e Këngës Eurovision u rekomandohet të shkojnë në vetizolim për të paktën 5 ditë para se të nisen për në Hollandë dhe duhet të kenë një test negativ për COVID-19, që të jetë kryer jo më shumë se 72 orë më parë.
Sapo të mbërrijnë në Hollandë, delegacionet duhet të qëndrojnë në hotelin e tyre, përveç rastit kur udhëtojnë në Ahoy Arena të Roterdamit për prova, shfaqje të drejtpërdrejta dhe aktivitete të tjera që lidhen me programin. Të gjithë që punojnë në Ahoy Arena, përfshirë ekuipazhin, artistët dhe shtypin, do të testohen rregullisht në një strukturë të veçantë pranë arenës.