Itali- Sanremo i këtij viti do të jetë krejt ndryshe nga të gjitha vitet e historisë së tij. Festivali i muzikës italiane do të zhvillohet në respekt të plotë të protokollit kombëtar kundër rrezikut të infektimit nga pandemia Covid19.
Pa publikun në sallë e me tre juritë e lidhura në versionin online të Festivalit, 26 këngëtarë italianë e 8 këngëtarë të rinj do të performojnë për pesë ditë radhazi në garën për këngët më të mira të këtij eventi muzikor.
Në skenën e Teatrit Ariston u ngjitën 13 këngëtarët e parë dhe 4 këngëtarë të rinj.
Amadeus, Drejtor Artistik i Festivali e njëherësh prezantues i tij, do të shoqërohet çdo natë nga showmani i njohur Fiorello, nga futbollisti i Milanit, Zlatan Ibrahimovic e këngëtari Achile Lauro. Bashkëprezantuese e zgjedhur për natën e parë ishte aktorja e re italiane Matilde De Anglelis, e cila së fundmi ka interpretuar në filmin “The Undoing” së bashku me Nicole Kiodman e Hugh Grant.
Të ftuarit specialë të kësaj mbrëmje të parë ishin Loredana Berte, Diodato e infermierja italiane simbol i luftës kundër Covid, Alessia Bonaro. Fotografia e saj me shenjat në fytyrë nga maska e mbajtur për orë e orë, gjatë punës në spital, përcolli në të gjithë botën vështirësinë dhe punën e jashtëzakonshme të mjekëve e infermierëve gjatë emergjencës pandemike në Itali.
Këngëtarja e njohur Loredana Berte interpretoi disa prej këngëve të saj më të mira, ndërsa Diodato këndoi këngën fituese të Festivalit të një viti më parë, Sanremo 2020.
Poltrona bosh e duartrokitje false
Në konferencën për shtyp, prezantuesi e Drejtori Artistik i Sanremos 2021, Amadeus u shpreh “se ndjehet i lehtësuar se më në fund mbërriti 2 marsi, dita e parë e këtij Festivali. Pritja qe shumë e gjatë tha ai, e ky vit i vështirë bëri sikur të kenë kaluar dy, tre o më shumë vite nga festivali i një viti më parë.”
Në vend të publikut në skenë, duartrokitjet do të jenë të regjistruara, një zgjedhje që sipas Amadeusit ”do të shërbejë për të ndihmuar psikologjikisht këngëtarët e të gjithë ata që do të ngjiten në skenën e Ariston.”
Amadeus tha se për netët e ardhshme po punohet me efekte vizive për të zëvendësuar poltornet bosh në sallë.
Këngët fituese të Festivalit të Sanremo 2021 do të zgjidhen nga tre juritë. Juria e gazetarëve e cila ka 33% të votës, televoto me 34% të votës e juria demoskopike e përbërë nga një kampion i zgjidhur nga publiku, nga grupe e kategori të ndryshme sociale.