Vjenë– 4 persona kanë mbetur të vdekur dhe 17 të tjerë janë plagosur në sulmin terrorist që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Vjenë. Rreth orës 20:00 pranë një sinagoge janë dëgjuar të shtënat e para. Një prej agresorëve ka hedhur veten në erë, ndërsa një tjetër është qëlluar për vdekje nga policia.
Sipas raportimeve të mediave agresorët u arratisën pas sulmit, por pas disa orësh kontrollesh nga ushtria në zona të caktuara në Vjenë, janë prangosur 4 autorët e dyshuar të sulmit. Në rrjet kanë qarkulluar video të ndryshme nga ngjarja e rëndë, ku agresorët kanë qëlluar mbi persona të ndryshëm, dëshmitarët e këtij sulmi kanë treguar se të shtënat e para i kanë menduar si fishekzjarre. Mediat e huaja kanë publikuar pamjet e momentit kur nisën breshëri plumbash dhe njerëzit vrapuan të tmerruar.
Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer e konsideroi prerë një sulm terrorist, teksa tha se është një sulm kundrejt vlerave europiane.
“Sulmi konsiderohet të ketë një “motiv islamik”. Personi i armatosur që u qëllua për vdekje nga policia ishte “radikalizuar” dhe një simpatizant i ISIS. I dyshuari ishte i armatosur me një pushkë dhe armë të tjera. I dyshuari kishte veshur diçka që dukej të ishte një jelek shpërthyes, por doli të ishte i rremë. Ekipet SWAT kanë kontrolluar në banesën e të dyshuarit,”- tha Nehammer.
Policia ka bërë thirrje të shmangin hapsirat e hapura dhe transportet publike.