Ngadalësia me të cilën ka vepruar autoriteti europian i ilaçeve, EMA ka bërë që Austria të vendosë të mos presë më zgjidhje prej saj.
Kancelari austriak, Sebastian Kurz deklaroi se për vaksinat e reja që mbrojnë nga mutacionet e Covid 19, vendi i tij do të bashkëpunojë tani me Danimarkën dhe Izraelin.
Strategjia e kalimit nëpër BE për prokurimin dhe miratimin e vaksinave ishte “në thelb e drejtë”, shpjegoi Kurz në Vjenë. Por Autoriteti Evropian i Medikamenteve(EMA)është “shumë i ngadaltë” me licensimet dhe kishte “pengesa dorëzimi” të prodhuesve farmaceutikë.
Si përgatitje për mutacione të mëtejshme të mundshme, Austria nuk duhet “të varet vetëm nga BE për prodhimin e vaksinave të brezit të dytë“, u shpreh kreu konservator i qeverisë. Së bashku me kryeministren daneze Mette Fredriksen, ai do të udhëtojë drejt Izraelit për të diskutuar prodhimin e përbashkët të dozave të vaksinimit të brezit të dytë dhe bashkëpunimin në hulumtimin e mundësive të mjekimit. Kurz e bëri të qartë se iniciativa e tij duhet kuptuar në plan afatgjatë.
Ai u mbështet në vlerësimet e ekspertëve, sipas të cilave rreth dy të tretat e popullsisë duhet të vaksinohen kundër Covid 19 çdo vit në vitet e ardhshme, dhe këta janë gjashtë milion njerëz në Austri. Fredriksen gjithashtu theksoi se duhet të garantohet që “edhe pas një viti, edhe pas dy vjetësh, tre, pesë dhe dhjetë vjetësh do të kemi doza të mjaftueshme të vaksinës“.
Komisioni Evropian po kritikohet edhe në Gjermani, sepse ai është përgjegjës edhe për prokurimin e vaksinave të Covid 19 dhe sasitë aktualisht nuk janë të mjaftueshme. Fushata e vaksinimit në BE po zhvillohet gjithashtu shumë më ngadalë sesa në Izrael ose Britaninë e Madhe.