Durrës- Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të policisë mes të arrestuarve është dhe 26-vjeçar i cili një ditë më parë duke drejtuar makinën tip ‘Benz’, në Fushë-Krujë është përplasur me mjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. Sh., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu të arrestuarit e tjera akuzohen për dhunë në familje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë
Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin:
B.Xh., 53 vjeç, banues në Kavajë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest në burg”, për shtetasin Dh. T., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
V.K., 39 vjeç, banues në Shën Vlash, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur;
A.K., 26 vjeç, banues në Fushë Krujë, si dhe u procedua penalisht shtetasi F. Sh., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ditën e djeshme, në orën 13:40, në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë, shtetasi A. K., duke drejtuar mjetin tip “Benz”, është përplasur me mjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. Sh., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.