Katër persona u vranë nga një sulm terrorist mbrëmë në Vjenë. Mes tyre është ekzekutuar edhe një nga terroristët. Një tjetër terrorist mendohet se është në arrati.
Ndërkohë, një nga gazetarët e njohur austriakë, Florian Klenk shkruan se ka informacione se njëri nga terroristët ka origjinë shqiptare.
Sipas tij, terroristi quhet Kujtim Fejzulai, me prindër shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ai është 20 vjeç dhe është lindur dhe rritur në Austri.
Gazetari shkruan se autori i sulmit ka qenë në shënjestër të shërbimit sekret austriak.
Ai ishte dënuar me 22 muaj burg në prill të vitit të shkuar pasi kishte tentuar të udhëtonte drejt Sirisë. Fejzulai u lirua në dhjetor të vitit të shkuar.
Ministria e Brendshme tha se Fejzulai kishte postuar një foto në Instagram përpara sulmit. Ai mbante dy armë që mendohet se janë përdorur gjatë sulmit.
20-vjeçari kishte shpallur besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik. Ai hapi zjarr në gjashtë pika të ndryshme. Katër civile u vranë gjatë sulmit.
Policia po kërkon për bashkëpunëtorët e terroristit.