Në këtë të dielë feste, në ditën e mësuesit, të shumtë kanë qenë personalitetet, figurat publike, por edhe politikanë të ndryshëm të cilët ju kanë uruar përzemërsisht 7 Marsin të gjithë mësuesve.
Edhe deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sinaj e ka nisur ditën duke i shprehur mirënjohjen e thellë të gjithë mësuesve në mbarë vendin, por në mënyrë të veçantë mësueses së tij të klasës së parë.
Në një postim në rrjete sociale Sinaj ka ndarë një foto të takimit me mësuesen e tij të parë Shefikate Haxhiraj.
Duke shprehur mirënjohjen e thellë për gjithë mësuesit e Vlorës dhe të gjithë vendit deputeti Vullnet Sinaj shkruan:
“Nuk ka kartolinë urimi më të bukur për mua për 7 Marsin, se sa kjo fotografi 📸 e mëngjesit të sotëm, me mësuesen time të klasës së parë, Shefikate Haxhiraj. 🌹
Mësuesja ime e shtrenjtë në shkollën 8-vjeçare “Filo Ramadani” në Armen, ka arsimuar dhe edukuar me dashuri qindra e qindra fëmijë ndër breza.
Ky është një urim i pazakontë, sepse jetojmë në një kohë të pazakontë. 📍
Jetojmë në kohën e luftës me armikun e padukshëm, COVID-19, i cili është përpjekur të vendosë botën nën thundër.
Në kohën kur një pjesë e globit ka detyrim të izolohet, shumë mësues 👨🏫👩🏫 janë në frontin e parë të betejës, përmes vështirësive të panumërta.
Duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjeve, ata vazhdojnë me vetëmohim misionin fisnik të mësimdhënies.
Dita e Mësuesit është jo më kot një festë kombëtare, sepse arsimi dhe edukimi qëndrojnë në themel të çdo kombi.
Falenderime nga zemra mësuesve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë!
Gëzuar! 🌹”