Zyrtarët e Bashkimit Evropian po kritikojnë marrëveshjen e Italisë për të prodhuar vaksinën ruse kundër koronavirusit “Sputnik V”, dhe thanë se ajo nuk është miratuar ende për përdorim brenda bllokut.
Marrëveshja e njoftuar në fillim të kësaj jave, ka nxitur një shkëmbim deklaratash të zemëruara mes Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve rusë. Kryetarja e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) u kërkoi vendeve anëtare të mos japin autorizim për përdorimin në raste urgjente të Sputnik-ut, pasi kjo sipas saj do të ishte për shëndetin publik sikur të luaje me “ruletën ruse”.
Por Italia, së bashku me disa vende anëtare, përfshirë Hungarinë, ndihet e lodhur nga mungesa e vaksinave në të gjithë bllokun dhe po përpiqet me dëshpërim të përshpejtojë programin e saj të vaksinimit, megjithëse Ministri italian i Shëndetësisë ka thënë se do të presë miratimin e BE-së para se të nisë vaksimimi i italianëve me Sputnik V.
Vërejtjet nga kryetarja e EMA-s Christa Wirthumer-Hochem, e cila u ka kërkuar shteteve të BE-së të mos e përdorin vaksinën ruse derisa agjencia e saj ta ketë shqyrtuar siç duhet, kanë nxitur një përgjigje të ashpër nga Moska. Prodhuesit e vaksinave kanë kërkuar që agjencia të kërkojë falje ndërsa Kremlini i ka quajtur “zhgënjyese” komentet e zonjës Wirthumer-Hochem.
“Ne duam që Christa Wirthumer-Hoche e EMA-s të na kërkojë falje publikisht për komentet e saj negative ndaj shteteve të BE-së që e kanë miratuar drejtpërdrejt Sputnik V. Komentet e saj ngrenë pikëpyetje serioze në lidhje me ndërhyrjet e mundshme politike në rishikimin e vazhdueshëm të EMA-s”, shkruanin ata në Twitter.
Ndërhyrja e Rusisë
Zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin Dmitry Peskov, tha se marrëveshja e arritur mes Fondit shtetëror rus të Investimeve Direkte, i cili ka financuar zhvillimin e Sputnik-ut dhe firmës italo-zvicerane Adienne Pharma & Biotech, mund të ndihmojë Italinë që të kompensojë mungesën e vaksinave.
Kirill Dmitriev, kreu i fondit, tha se marrëveshja ka potencialin për të “shpëtuar shumë jetë në Itali”.
Hungaria tashmë po kryen vaksinime me vaksinën ruse Sputnik dhe Republika Çeke e Sllovakia kanë filluar të marrin doza. Vendimi i tyre për të mos ruajtur solidaritetin mbi këtë çështje me BE-në ka ardhur ndërsa zhgënjimi i publikut është rritur lidhur me përhapjen e vaksinimeve në bllok, proces që është dëmtuar nga gabime logjistike e burokracia, duke lënë vendet anëtare të BE-së me sasi tejet të vogla vaksinash, ndërsa durimi i publikut vazhdon të zbehet.
Ursula von der Leyen, presidentja e BE-së dhe komisionerët evropianë kërkuan që prokurimi i vaksinave të mbikëqyret nga BE-ja, duke argumentuar se kjo do të reklamonte forcën dhe solidaritetin e bllokut ndërsa do të zvogëlonte rrezikun e rivalitetit të vaksinave mes 27 vendeve anëtare.
Gjetja e një rruge tjetër
Por muajin e kaluar, gjatë një sesioni të tensionuar të Parlamentit Evropian, ajo tha se vendet anëtare individualisht mund ta kishin vaksinuar popullatën e tyre më shpejt nëse do të kishin vepruam vetëm, në vend që të mbikëqyreshin nga BE-ja në blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave. BE-ja ishte shumë më e ngadaltë për të bërë porosi nga kompanitë perëndimore të barnave krahasuar me SHBA-në e Britaninë. Boshllëqet në prodhim kanë ndikuar tek mungesat, duke nxitur ndalimin nga ana e BE-së javën e kaluar të 250,000 dozave vaksinash, që u prodhuan në Itali, e që po transportoheshin në Australi.
BE-ja ka mbetur shumë pas me programin e vaksinimit krahasuar me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara. Rreth gjashtë për qind e 450 milionë banorëve të bllokut kanë marrë të paktën një dozë vaksine, krahasuar me 18 për qind në SHBA dhe 30 për qind në Britani.
Në kontinentin Evropian, Serbia, shteti i dytë pas Britanisë ka vaksinuar një të katërtën e popullsisë së saj, kryesisht falë qasjes së shumëanëshme dhe gatishmërisë për të shfrytëzuar një larmi vaksinash, si ato të prodhuara në Perëndim ashtu edhe vaksinën Sputnik të Rusisë dhe Sinopharm të Kinës. Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.
“Pavarësisht nëse vaksinat vijnë nga Kina, Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, ne nuk na intereson për aq kohë që ne i marrim sa më shpejt të jetë e mundur”, tha kohët e fundit Kryeministrja serbe Ana Bernabic për mendian perëndimore.
Javën e shkuar, udhëheqësit e Izraelit, Austrisë dhe Danimarkës njoftuan një aleancë për të zhvilluar dhe prodhuar një gjeneratë të re vaksinash kundër koronavirusit. Kancelari austriak Sebastian Kurtz tha se autoritetet evropiane janë “shumë të ngadalta në miratimin e vaksinave”.
Marrëveshja e arritur nga kompania farmaceutike ruse Sputnik në Itali ende ka nevojë për miratim nga enti rregullator italian para se të fillojë prodhimi dhe vaksinimi i italianëve.
Gazeta italiane “Il Messaggero” njoftoi këtë javë se ministri italian i shëndetit Roberto Speranza mbështet vaksinim sapo Sputnik të marrë miratimin nga rregullatori evropian për ilaçet.
Zyrtarët rusë kanë akuzuar entin rregullator të Bashkimit Evropian për zvarritje të procesit të miratimit për vaksinën Sputnik, duke thënë se ata kanë patur në dispozicion disa muaj për të shqyrtuar sigurinë e vaksinës. Moska thekson se Sputnik është miratuar nga rregullatorët në 46 vende të botës, përfshi Argjentinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshje prodhimi janë nënshkruar me Brazilin, Kinën, Indinë dhe Korenë e Jugut. Kohët e fundit edhe Austria ka lënë të kuptohet se mund të jetë e interesuar për një marrëveshje prodhimi.
Moska përdor “forcën” e butë
Rusia thotë se është e gatshme t’i shesë Evropës 50 milionë gjilpëra të vaksinës me dy doza sapo blloku të japë miratimin. Zhvilluesit rus të vaksinës thonë se Sputnik ka një efektshmëri prej 91,6% kundër koronavirusit, bazuar në gjetjet nga kolegët e tyre shkencëtarë të publikuara në muajin shkurt në revistën mjekësore prestigjoze britanike “The Lancet”.
Duke lënë mënjanë shkencën, disa zyrtarë dhe udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian po tregohen të matur në pranimin e vaksinës ruse, nën drojën se Kremlini ka synime politike në marketingun e saj dhe do ta shfrytëzojë vaksinën si një armë të “luftës” së butë, në përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Evropë. Politikanët baltikë dhe polakë shqetësohen se Kremlini po e shfrytëzon vaksinën si pjesë të një loje diplomatike që synon thellimin e përçarjeve në BE.
Zyrtarët ukrainas thonë se Sputinik, vaksinë e ndaluar në vendin e tyre, është një “armë hibride”. Ihor Zhovkva, këshilltar i Presidentit Volodymyr Zelensky për politikën e jashtme, tha në një intervistë të hënën për Sherbimin e Lajmeve Baltike se: “Kjo është gjithashtu pjesërisht propagandë, pjesërisht luftë hibride – për ta përhapur këtë vaksinë të pakontrolluar dhe për të thënë se Rusia është gjithmonë e gatshme për të zgjatur dorën e saj të ndihmës me qëllimin për të ndihmuar botën, ndërsa qëllimi i tyre është e kundërta”.
Të tjerët e hedhin poshtë skepticizmin. Vincenzo Trani, drejtues i dhomës së tregtisë italiano-ruse, tha se ishte i kënaqur që Italia ka gjasa të bëher vendi i parë i Bashkimit Evropian që mund të prodhojë vaksinën Sputnik.
“Ne e kuptojmë se pa një vaksinë nuk ka shanse për të jetuar dhe zhvilluar më tej. Gjeopolitika nuk duhet të ketë përparësi – shëndeti i popullit dhe biznesi duhet të jenë përparësitë”, tha ai për shtypin këtë javë.
DW