Kryeministri Edi Rama foli për vaksinimin e popullsisë, duke thënë në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se së shpejti shpreson të arrijë kontrata me dy vende, për sjelljen e sasirave të mëdha të vaksinave anti-Covid.
Rama deklaroi se ambicia është që të shumica e njerëzve të vaksinohen para sezonit turistik, në mënyrë që të kemi një sezon të lehtësuar dhe të goditet zinxhiri i infektimeve me virusin e rrezikshëm.
Jam besimplotë që shumë shpejt do të kemi mundësi të bëjmë atë që duhet dhe duam. Ambicia është që të lehtësojmë sezonin turistik, sepse sa më shumë të vaksinohemi para sezonit, aq më shumë do ta godasim zinxhirin e infektimeve. Kjo është ambicie e madhe, është gati çmenduri, në kushtet kur vijon problemi i madh i furnizimit me vaksina. Ne arritëm ta kapërcejmë hendekun me dozën e parë, si rezultat i vajtjes drejtpërdrejt te Pfizer dhe i bërjes së lypësit. Sot lajmi i mirë është se kemi vaksinuar të gjitha bluzat e bardha, kemi filluar te më të moshuarit. Nesër vijnë dozat e AstraZeneca, që na lejojnë të fillojmë me mësuesit dhe pedagogët. Jemi në negociata shumë të avancuara me dy vende për sasira të mëdha. Shpresoj shumë që të arrijmë shpejt të kemi kontrata, e të sjellim sasira më të konsiderueshme, që do na lejojnë të hyjmë në vaksinim masiv”, u shpreh kryeministri Rama.