Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim ambasadorin e Meksikës në Shqipëri, Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.Me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Meta bën me dije se i ka kërkuar ambasadorit meksikan që Meksika të liberalizojë regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë.
Mesazhi i presidentit Meta:
Pata kënaqësinë të prisja Ambasadorin e ri të Republikës Federative të Meksikës në Shqipëri, Sh.T.Z. Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Shpreha interesin për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik e tregëtar, në turizëm, kulturë dhe në fusha të tjera.
I kërkova Ambasadorit Zepeda, që edhe Meksika, ashtu si edhe Shqipëria më parë, të liberalizojë regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë.
Duke shprehur rëndësinë, që Shqipëria i kushton marrëdhënieve me Meksikën, i urova suksese Ambasadorit dhe e sigurova për mbështetje të plotë gjatë misionit të tij të rëndësishëm në vendin tonë.