Autoritetet në Itali kanë nisur hetimet për 11 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë, pasi kanë kërcënuar dhe fyer Presidentin e vendit, Sergio Mattarella.
“Le të armatosemi dhe të shkojmë ta vrasim atë bir k****”, “Uroj të vdesësh”, “Mezi pres që të jem në funeralin tënd”, “cope m*** dua të të shoh të vdekur”, janë disa nga mesazhet që janë mbledhur nga Prokurori.
Postimet janë bërë gjatë kohës që Italia ishte futur në karantinë si pasojë e shpërthimit të pandemisë Covid-19.
Personat që po hetohen kanë një shpërndarje të gjerë gjeografike, por kanë dhe profesione të ndryshme. Në hetim janë, Simone Gagliardone, Renè Nani, Arjan Karagjozi (Shqiptar që punon si elektricist në Genova), Alessandra Pioli, Carlo Botta, Rosario Ricci, Irena Salati (Shqiptare që jeton në Romë), Alessio Pichi, Salvatore Giuseppe Ingrosso, Alessandro Bellomo dhe Vito Contesi.
Akuzat e ngritura ndaj personave nën hetim janë “ofendim të nderit dhe prestigjit të Kryetarit të Shtetit”, “fyerje dhe kërcënim” të bëra nga mediat sociale.