Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka kërcënuar kryebashkiakun Erion Veliaj që të mos e detyrojë kreun e shtetit që t’u kërkojë qytetarëve ta nxjerrin jashtë Bashkisë së Tiranës. Pas përplasjes fizike në të cilën Meta u përfshi gjatë bastisjes së zyrave të “Frymës se Re Demokratike” në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi kreun e shtetit si një person të alkoolizuar dhe në fazë degradimi. Pak pas deklaratës së Veliajt, Blushi shkruan në rrjetin e tij social Facebook që Veliaj mos të guxojë të urdhërojë më sulme të tilla, ndryshe Meta do t’i vendosë përballë popullin.
“Mos e detyro Presidentin e Republikës t’u bëjë thirrje qytetarëve të të përzenë që sot nga Bashkia e Tiranës, si një qen rrugësh të pasterilizuar, o provokator ordiner i skizofrenit me kartelë. O vemje, mbaj shënim: 1. Nuk ke për t’i shpëtuar KURRË dënimit mbarëqytetar, as për shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar, as për aferën e zezë sterrë të inceratorëve dhe as për shumë afera të tjera. 2. MOS GUXO MË të bësh veprime të paligjshme dhe të porositësh dhunë kundër Opozitës, se do të dorëzojmë te gjykatësi popull o horr gjirizash dhe t’i besoj e kupton mirë se çdo do të thotë kjo,”- shkruan Blushi.