Vjenë- Sulmi terrorist që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Vjenë të Austrisë, la të vdekur katër civilë dhe të plagosur 22 të tjerë. Në këtë ngjarje tragjike janë përfshirë tre shqiptarë, terroristi Kujtim Fejzullahi, viktima Nexhip Vrenezi dhe heroina Doruntina Miroci, e cila ka luftuar përkrah policisë austriake kundër sulmeve terroriste.
Kujtim Fejzullahi është 20-vjeçari, i cili qëlloi në drejtim të civilëve, duke lënë të vdekur katër prej tyre. Ai u vra më pas nga autoritetet austriake.
Sipas raportimeve të mediave maqedonase bëhet fjalë për Nexhip Vrenezin, 21 vjeç. Ai dyshohet se u qëllua për vdekje në momentin kur kishte dalë nga lokali ku po pinte kafe, për të ndezur një cigare.
E heroina e gjithë kësaj ngjarjeje të tmerrshme është kosovarja Doruntina Miroci.
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka njoftuar se mbesa e tij është njëra nga policet që mbrëmë në Vjenë kanë luftuar me terroristët rrugëve të kryeqytetit austriak.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, para pak minutash ka dalë në një konferencë për media, ku ka thënë se katër persona janë vrarë dhe 22 janë plagosur në këtë sulm terrorist, ndërsa tha se vrasësi i vetëm aktualisht dëshmohet të jetë shqiptari Kujtim Fejzullahi, me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut. “Tani për tani nuk ka prova për një autor të dytë”,– tha Nehammer.