Mbrëmjen e sotme mbërritën në Rinas 38400 dozat e vaksinës nga “AstraZeneca”, ndërsa nesër do të nisë vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve.
“Nesër ne do të nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve dhe do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit, duke kthyer shkollat në pika vaksinimi në një pjesë të konsiderueshme” tha Rama.
Ndërkohë, tha më tej kreu i qeverisë, presim një tjetër sasi edhe më të konsiderueshme. “Kemi edhe 60 mijë doza me “AstraZeneca” që do të jenë këtu në prill dhe 30 mijë me “Pfizer” po në prill”.
Pas dy tentativa të dështuara për të çuar vaksinat në Kosovë dhe për të sjellë mjekët e spitalit COVID të Prishtinës në Tiranë, Edi Rama bëri njoftimin e tretë. “Nga nesër jemi gati të organizohemi me Kosovën për t’u dhënë mundësi mjekëve të spitaleve covid të Prishtinës të vijnë të vaksinohen në Kukës”.
Në fund Rama tha se “Do të kemi një vaksinim intensiv duke lehtësuar ndjeshëm sezonin turistik”.