Deputeti Vullnet Sinaj përmes një postimi në Facebook i është përgjigjur akuzave të Berishës pas publikimit të një video me pamjet e shpërndarjes së ndihmave në Kamëz.
Sinaj sqaron se pamjet që serviren i përkasin një fushate të kompanisë “World Vision”, me të cilën deputetin nuk e lidh asgjë, kompani e cila shpërndan prej vitesh ndihma për familjet në nevojë.
Deputeti Sinaj sqaron se ai kandidon në qytetin e Vlorës më 25 prill dhe jo në Kamëz, e se akuzat e Berishës nuk do të hedhin baltë mbi punën e tij dhe të skuadrës së tij apo votën e qytetarit më 25 prill.
Ja çfarë shkruan deputeti Sinaj:
Në fillim e mora me shaka, por më vonë mendova se shpifja vërtet e ka jetën e shkurtër, por balta e saj mund të të bëjë këpucët pis, ndaj meriton një përgjigje.
“Narkodeputeti Vullnet Sinaj kapet në flagrancë. Blen votat me ushqime në Kamëz”, shkruan sot në rrjetet sociale “Doktori dixhital”.
E shoqëron këtë bubullimë interneti me një video ku duken ca pako me ushqime.
Buzëqesha me këtë status të Doktorit, i cili me siguri e di që unë nuk kandidoj në Kamëz, por në Vlorë.
Pamjet që ai servir i përkasin një fushatë të kompanisë “World Vision”, me të cilën s’më lidh asgjë, e cila shpërndan prej vitesh ndihma për familjet në nevojë.
Kaq e thjeshtë është e vërteta.
Se ku hyjnë votat e mia të Vlorës, me ndihmat e shpërndara nga dikush tjetër në Kamëz, këtë e di vetëm Doktori dixhital.
Ndoshta nuk ka faj për të gjitha mëkatet e 30 viteve në Shqipëri, por për këtë shpifje jam i bindur: Fajin e ka Saliu!
Por, jo vetëm ai. Kjo fushatë e mbushur me gënjeshtra e gafa lindi pas një deklarate të një përfaqësuesi të LSI se “po blihen votat me ushqime”.
Ndonëse e kuptoj dëshpërimin për të bërë politikë me çdo gjë, në situatën kur sondazhet i nxjerrin palë e humbur, nuk mirëkuptoj dot që drejtues të opozitës nuk marrin mundimin as të verifikojnë faktet më të thjeshta.
Megjithatë, nuk jam as i pari e as i fundit që bie pre e akuzave pa bazë nga njeriu që ka qenë 2 herë president e 2 herë kryeministër, por sjellja e të cilit është shumë larg një shtetari.
Sali Berisha është politikani që i ka më shumë borxhe gjithë Shqipërisë, por sidomos Vlorës.
Simboli i vitit famëkeq ’97, njeriu që veshi nënat vlonjate me të zeza do marrë dënimin përfundimtar më 25 prill.
Urrejtja e tij patologjike për vlerat patriotike që ky qytet përfaqëson, nuk mund ta përçajë më popullin shqiptar.
Ujkut i kanë rënë dhëmbët e nuk kafshon më. I them vetëm një gjë: shijo pensionin politik. Koha jote mbaroi!
Kamza, Vlora dhe gjithë Shqipëria dinë të zgjedhin mençur. Dinë të ndajnë politikën e baltës nga politika e çiltër. Dinë të ndajnë shpifjen e ndasitë nga bashkimi i njerëzve që e duan vërtet këtë vend.
Më 25 prill votojmë për të ardhmen tonë, për mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Sepse s’ka kohë për pushim!
Punë, jo shpifje dhe gjumë!