Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar fotot nga përmbyllja përfundimtare e marrëveshjes me Italinë për të njohur patentat shqiptare. Rama thotë se tashmë procedura është përmbyllur me siglimin përfundimtar mes Xhaçkës dhe ambasadorit Fabrizio Buçi.
Ai thotë se tashmë ata që qarkullojnë me makinë matanë detit mos kenë më merak, dhe i bën apel mos harrojnë se atë që ai e thotë e bën, dhe bën atë që thotë.
“Ja edhe siglimi përfundimtar që mbyll krejt procedurën e gjatë për lejet e drejtimit në Itali, për merakun a të gjithëve ju që qarkulloni me makinë matanë detit, e herë tjetër mos e harroni, unë them atë që bëj dhe bëj atë që them.”– shkruan kryeministri Rama.
Nga ana tjetër edhe Olta Xhaçka ka shkruar për marrëveshjen si ministre e jashtme firmëtare, duke theksuar se kjo marrëveshje është reciproke dhe se tani për çështje javësh zbatohet.
“Me ambasadorin italian në Tiranë, Fabricio Bucci firmosëm sot, në emër të dy qeverive tona, marrëveshjen e shumëpritur për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjetit, me qëllim konvertimi. Janë pikërisht veprime konkrete si ky, edhe pse në dukje të vogla në skemën e madhe të diplomacisë, që kanë impaktin më konkret e të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Tani është cështje javësh që marrëveshja, pas miratimit në strukturat ligjore përkatëse në Itali e Shqipëri, të nisë të zbatohet në të dy vendet.”– shkruan Xhaçka.