Një reporter i BBC-së është ndaluar në Mianmar ndërsa vazhdojnë përplasjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve.
Aung Thura u mor nga disa burra të veshur civilë ndërsa raportonte përpara një gjykate në kryeqytetin, Nay Pyi Taw.
BBC tha në një deklaratë se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar dhe u bëri thirrje autoriteteve për të ndihmuar në gjetjen e tij. Aung Thura u mor me një reporter tjetër, Than Htike Aung, i cili punon për organizatën lokale të lajmeve Mizzima. Licenca e operimit të Mizzima u revokua nga qeveria ushtarake në fillim të këtij muaji.
Burrat që ndaluan gazetarët mbërritën me një furgon pa targa në mesditën e sotme dhe kërkuan të kontrollonin gazetarët.Që atëherë BBC-ja nuk ka qenë në gjendje të kontaktojë Aung Thura.
“BBC-ja e merr shumë seriozisht sigurinë e të gjithë stafit të saj në Mianmar dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të gjetur Aung Thura. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të ndihmojnë në gjetjen e tij dhe të konfirmojnë se ai është mirë. Aung Thura është një gazetar i akredituar i BBC-së me shumë vite përvojë raportimi duke mbuluar ngjarjet në Nay Pyi Taw.”- tha kompania në një deklaratë.
Dyzet gazetarë janë arrestuar që nga grushti i shtetit ushtarak në 1 Shkurt, i cili pa ndalimin e udhëheqësve civilë të zgjedhur përfshirë Aung San Suu Kyi. Gjashtëmbëdhjetë janë ende në paraburgim dhe ushtria ka hequr licencat e pesë kompanive mediatike.