Pas dy atentateve në Durrës e Shkodër, Shqipëria duket se nuk gjen qetësi. Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar edhe në Kombinat! Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, në rrugën “Shaban Bartoshi”, ku R.G., ka tentuar të vrasë me armë zjarri Artur Korteshin. Gjithçka ka nisur pas sherrit të Korteshit me vëllanë e autorit.
Pasi ky i fundit ka marrë vesh për konfliktin ka shkuar me armë zjarri për t’u “sqaruar” duke qëlluar në ajër dhe duke shkaktuar terror në zonë. Megjithatë fatmirësisht askush nuk është lënduar.
Policia ka bërë me dije se autori është identifikuar dhe po kërkohet për t’u prangosur. Deri më tani bëhet me dije se Korteshi rezulton person i përfshirë në ngjarje kriminale dhe është person i skeduar, por nuk dihet detaje të tjera.
Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10 të pasdites, kur 25-vjeçari me iniciale R.G., ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Shënjestra e tij ka qenë Artur Korteshi, megjithatë i riu nuk ka shënuar të lënduar dhe është larguar me urgjencë nga vendngjarja. Policia ka identifikuar autorin dhe është vënë në ndekje të tij.