Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se SHBA-ja nuk e ka pranuar ofertën e presidentit rus Vladimir Putin për takim online me presidentin amerikan, Joe Biden me të cilin po përjetonte tensione kohët e fundit.
Në një deklaratë nga ministria, thuhet se SHBA-ja nuk e mbështeti kërkesën e Putinit për t’u takuar me Bidenin më 19 mars ose 22 mars përmes video-konferencës publike për të diskutuar problemet bilaterale të akumuluara dhe çështjet e stabilitetit strategjik.
“Në marrëdhëniet ruso-amerikane, është humbur një mundësi tjetër për të gjetur një mënyrë për të dalë nga ngërçi i krijuar nga gabimi i Washingtonit. SHBA-ja është përgjegjëse për këtë”, thuhet në deklaratë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov lidhur me mundësinë e një takimi Putin-Biden, tha se “Sot takimi nuk është në plan. Pala amerikane nuk ishte e gatshme siç e kuptova unë”.
Tensionet midis Bidenit dhe Putinit
Presidenti amerikan, Biden më 17 mars tha se Putini është “vrasës” dhe se Rusia do të “paguante çmimin” për ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-së.
Presidenti rus Putin gjithashtu i uroi Bidenit “shëndet të mirë” duke shtuar se “Vlerësimi i një vendi, shteti, njerëzish ose individësh tjerë është si të shikosh në pasqyrë. Ne gjithmonë e shohim veten aty”.
Putin propozoi të takohej me Bidenin përmes një video-konference.