Suedi- Gjykata e Stokholmit ka dënuar me burgim të përjetshëm 37-vjeçarin nga Prizreni, Adriatik Hadrin, për vrasjen e prindërve të tij. Ai duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë lënë pa prindër.
Sipas Express, Adriatik Hadri nga Prizreni do ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Ai është dënuar dje nga Gjykata e Stokholmit me burgim të përjetshëm për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata, në faqen e saj zyrtare. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai duhet të iu paguajë edhe dëmshpërblim motrave dhe vëllezërve të tij.
“Gjykata e Qarkut e Stokholmit sot (22 mars) ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të vet duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”,- thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për përfitime financiare dhe se vrasjen e tyre e kishte planifikuar më parë. Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren. Brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.
Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime. Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas rastit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar.
Në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm. Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.