Pas kapjes së kamionit me 2.6 ton marijuanë në Mal të Zi, autoritetet shqiptare kanë filluar hetimet pasi ka dyshime se sasia e lëndës narkotike mund të jetë ngarkuar në territorin shqiptar.
Dyshimet për ngarkimin e kamionit brenda territorit të vendit vijnë pas mospikasjes së lëndës narkotike nga ana e skanerit në pikën kufitare të Kapshticës. Dyshimet konfirmohen edhe nga autoritetet malezeze, të cilat raportojnë se një grup kriminal i organizuar, aktiv në territorin e Shqipërisë, u përpoq që të kontrabandonte sasinë e lëndës narkotike me destinacion final Gjermaninë.
Lënda narkotike nuk është pikasur as nga dogana malazeze në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Hetimet kanë qenë prej disa muajsh, mes një bashkëpunimi të autoriteteve shqiptare, malezeze dhe agjensive të huaja europiane. Ndërkohë, lidhur me tonelatat e drogës të kapura, rezulton edhe person i dytë i përfshirë, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije për shkak të hetimeve. Burimet konfirmojnë se është proceduar penalisht.