Është rritur në 320 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj atyre që protestojnë kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.
Sipas raportit ditor të përgatitur nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) thuhet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 34 protestues tjerë, duke rritur në 320 numrin e viktimave, 264 prej të cilëve janë qëlluar nga forcat e sigurisë.
Në raport thuhet se nuk dihen shkaqet për vdekjen e 56 personave dhe se shumica e personave që kanë humbur jetën janë të rinj të grup-moshës 18-24 vjeç.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 320 protestues.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest./ AA