Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një telefonatë me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leten. Në një status në profilin e tij në Facebook, Rama shkruan se shumë shpejt në rajonin e Ballkanit do të vijnë edhe 651 mijë vaksina anti-covid të Pfizer nga Bashkimi Europian.
“Një LAJM I MIRË në telefonatën me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Së shpejti 651 mijë vaksina Pfizer do të vijnë në rajon nga Bashkimi Europian,”- shkruan Rama, por gjithsesi, nuk dihet se sa doza do të marrë Shqipëria nga kjo ngarkesë.
Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar afro 57 mijë qytetarë, ku është finalizuar imunizimi i bluzave të bardha, dhe po vazhdon vaksinimi i të moshuarve, mësuesve dhe pedagogëve. Shqipëria po merr aktualisht sasi të vogla vaksine nga Pfizer, me të cilin marrëveshja është për 500 mijë doza.
Në vendin tonë ka mbërritur edhe ngarkesa nga AstraZeneca, ndërsa pak ditë më parë u morën edhe 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V. Dy ditë më parë kanë mbërritur 192 mijë doza të tjera vaksina kineze nga Turqia, nga ku kryeministri Edi Rama deklaroi se ka siguruar 1.2 milionë doza.