Tiranë- Një ditë e zezë për politikën shqiptare. Koronavirusi i ka marrë jetën deputetit Bashkim Fino, lajm i hidhur që ka prekur politikën dhe opinionin publik në vend. Në nder të politikanit socialist, kanë nisur homazhet në Pallatin e Kongreseve, që janë organizuar nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë.
Homazhet nisën rreth orës 12:00, deri në 16:00. Mes personazheve politike që mbërriti në Pallatin e Kongreseve, ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe. Fill pas tyre, rreth orës 12: 24, homazheve iu bashkua dhe presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga Edmond Panariti. Mësohet se kryeministri Edi Rama pritet që t’ju bashkohet homazheve në orën 13:00 dhe më pas kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Kujtojmë se Fino humbi jetën në moshën 58-vjeçare, pasi ishte i prekur nga koronavirusi. Pas homazheve, ai do të përcillet sot për në orën 16:00 në varrezat e Sharrës.