Njëra nga zyrat elektorale të Partisë Socialiste në Berat është goditur me gurë. Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për zyrën e PS-së në lagjen “30 Vjetori”, që ndodhen në anë të rrugës kryesore të qytetit.
Dera e jashtme e kësaj zyre elektorale është thyer, duke u qëlluar me gurë. Thyerja është konstatuar rreth orës 07:30 të mëngjesit dhe më pas është njoftuar policia.
Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, ekspertët janë duke kryer veprimet, ndërkohë që është gjetur edhe guri me të cilin është goditur dera kryesore e kësaj zyre. Nuk dihet ende nëse thyerja e derës së jashtme të kësaj zyre është thyer në mënyrë të qëllimshme apo është thyer nga ndonjë person i dehur gjatë natës.
Mësohet se policia është duke sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth për të identifikuar edhe personin që ka goditur me gurë zyrën, ndërkohë që nga ana e drejtuesve të Partisë Socialiste të Beratit nuk ka ende asnjë reagim për mediat në lidhje me këtë ngjarje.