Si një nga ambasadorët e ruajtjes së mjedisit, DiCaprio i është bashkuar nismës për t’i thënë stop ndërtimit të HEC-eve, të cilat rrezikojnë lumin dhe biodiversitetin në zonat përreth tij.
Në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku numëron rreth 48 milionë njerëz në botë, aktori ka ndarë disa foto të lumit Vjosa dhe protestave të shqiptarëve për ta mbrojtur atë, bashkë me hashtagun #VjosaNationalParkNow.
Javën e shkuar, në Ditën Botërore të Ujit, aktivistët rreth Europës i kërkuan qeverisë shqiptare dhe Komisionit të Bashkimit Europian që të mbështesin nismën Vjosa Park Kombëtar.
Dhe postimi i fundit tregon se DiCaprio është i përfshirë kokë e këmbë në këtë situatë, dhe këtë herë kërkon një përgjigje edhe nga pushtetarët e vendit.
Në video shfaqen pamje nga Tirana dhe Berlini, ku aktivistë të ndryshëm kërkuan në Ditën Botërore të Ujit që Vjosa të kthehet në Park Kombëtar.
“Vjosa është lumi i egër më i madh në Europë. Janë 300 kilometra rrjedhje të pandërprera nga burimi i saj në malet në Greqi në detin Adriatik. Lumi është shumë i rëndësishëm për jetën e më shumë se 1,100 lloje peshqish të ujërave të ëmbla dhe nga ana kulturore është po ashtu i rëndësishëm për njerëzit në Shqipëri. Dje, Parlamenti Evropian nxiti autoritetet shqiptare “të krijojnë sa më shpejt të jetë e mundur Parkun Kombëtar Vjosa, duke e zgjatur në tërë gjatësinë e lumit.”
Shpërndajeni këtë video dhe kërkojini Edi Ramës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës të bëjnë të njëjtën gjë”, ka shkruar aktori i famshëm i Hollywood-it në postimin e tij.
Në këtë postim shihen mijëra reagime dhe falenderime për mbështetjen nga shqiptarë, por edhe të huaj. Pas këtij postimi, ka reaguar Lulzim Basha, i cili e ka shpërndarë videon në profilin e tij zyrtar.