Një operacion nga forcat RENEA dhe FNSH është zhvilluar paraditen e sotme në Tiranë. Policia goditi 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake nga grupe kriminale që më pas përdoreshin në ngjarje kriminale si shpërthime tritoli dhe atentate. Operacioni i koduar“Kompleks” u finalizua me arrestimin e 7 personave, 2 prej të cilëve, Edmond dhe Enver Jamaku, janë të arrestuar më herët, për atentatin ndaj biznesmenit Gjon Mena në Kamzë, ngjarje e ndodhur në muajin shkurt 2021. Tre të arrestuarit e tjerë janë: Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi, Arben Sufa dhe Bujar Jaupi.
Policia e Shtetit njoftoi sot se të shpallur në kërkim janë: Sokol Gjuradhe Akil Kulla.
Ngjarjet kriminale që u zbuluan me goditjen e bazave të armatimit
Tri janë episodet për të cilat Policia e Shtetit është e bindur se janë kryer nga grupi përgjegjës për shitjen dhe trafikun e municioneve luftarake.
Episodi i parë ka ndodhur më 18 tetor 2019, kur në Tiranë ndodhi një shpërthim i komanduar dhe u tentua të vritej Artjan Bylyku, kunati i Domart Konjarit.
Ngjarja e dytë është një atentat i dështuar në zonën e Freskut, ku Sokol Gjura bashkë me Edmond dhe Enver Jamakun tentuan të vrisnin me armë zjarri avokatin Paulin Papleka. Ngjarja ka ndodhur më 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.
Ngjarja e tretë është shpërthimi i një banese me tritol në pronësi të Edmond Saraçit, ngjarje e ndodhur më 15 shtator 2017 në Tiranë.
Tavolina bixhozi, radio policore, magazinë municionesh, snjaper e kallashnikovë
RENEA gjeti në banesat e personave të arrestuar dhjetra sende të paligjshme, duke nisur nga radiot e policisë dhe të ushtrisë, snajperat dhe optika termike, 20 makina të lojërave të fatit, një makinë e blinduar, 6 tavolina ruleti dhe makina që u përdor në atentatin ndaj Artjan Bylykut. Këto sende u gjetën tek banesa e Sokol Gjurës.
Po ashtu, janë gjetur snajper, 4 kallashnikovë, 2 granatahedhëse, 1 pistoletë dhe pjesë për riparim, u gjetën në banesën e Akil Kullës, i cili u shpall në kërkim.
25 silenciatorë, 1 pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin e armëve u gjetën në shtëpinë e Bujar Jaupit.
Në banesën e Paris Prengës u gjet një armë zjarri dhe kokainë, ndërsa në shtëpinë e Flor Abazit u gjet municion, 2 qese me kokainë dhe një makinë e blinduar. Ndërsa në banesën e Paris Prenga janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kokainë.