Nga 1 prilli pensionistët do të kenë një rritje me 2.7% të pensionit të tyre, e ardhur kjo nga indeksimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave. Sipas përllogaritjeve, janë mesatarisht 390 lekë në muaj plus për pensionin minimal dhe 780 lekë plus për pensionin maksimal.
Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, miratoi në mbledhjen e radhës vendimin “Për indeksimin e pensioneve dhe bazës së vlerësuar”.
Qëllim i këtij vendimi është që të mbajë në nivele optimale vlerën reale të pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale duke rikuperuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit ndaj vitit pararendës. Gjithashtu, vendimi ka për qëllim edhe miratimin e koeficientit vjetor të indeksimit “bazës së vlerësuar” për efekt të kalkulimit të masës së pensionit fillestar që caktohet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Bazuar në përllogaritjet e kryera nga INSTAT, indeksi mesatar vjetor i rritjes së çmimeve të shportës së mallrave të konsumit dhe të shërbimeve të pensionistëve do të jetë +2.7 %
Gjithashtu projektvendimi parashikohet të zbatohet me efekt financiar nga data 01.04.2021, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, dhe sipas politikave buxhetore të rritjes së pensioneve të miratuara në buxhetin e vitit 2021.
Duke zbatuar këtë koeficient realizohet rritja e të ardhurave mujore nga pensionet për mbi 669 mijë përfitues aktual të pensioneve nga sigurimi i detyrueshëm, trajtimeve financiare, pensioneve suplementare dhe pensioneve të parakohshme si dhe të përfituesve të të ardhurave të barrëlindjes në fshat.
Vendimi është në përputhje me programin ekonomik të Këshillit të Ministrave, është i mbështetur në dispozitat ligjore të fushës së pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale, është konform politikave të indeksimit të pensioneve të përcaktuara edhe në reformën e sistemit të sigurimeve shoqërore të vitit 2014 si dhe është i mbështetur me fonde në buxhetin e shtetit, të miratuar për politikat e pensioneve të vitit 2021.
Duke indeksuar masën e pensioneve dhe përfitimeve të tjera me indeksin 2.7 %, shmangen efektet negative të ndryshimit të indeksit të çmimeve në harkun vjetor.
Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë projektvendim do të përfitojnë rreth 702 944 përfitues, prej të cilëve 688 944 janë përfitues aktual dhe rreth 14 000 llogaritet të jenë përfitues të ardhshëm që do të marrin pension të indeksuar deri në indeksimin e ardhshëm.
Nga totali i përfituesve 555,442 janë pensione qyteti, rreth 114002 janë pensionistë që marrin pensione fshati dhe rreth 19,500 janë pensione sociale, pensione të parakohshme të ish-ushtarakëve, policëve dhe punonjësve të Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë si dhe trajtime të veçanta, të ish-punonjësve të nëntokës, të industrisë ushtarake, ish-pilotëve, ish-ushtarakëve të nëndetëseve, të industrisë së naftës dhe metalurgjisë etj..
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 2,4 miliardë lekë, përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH të vitit 2021.
Vendimi hyn në fuqi me botimin në fletoren zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 01.04.2021.