Apple njoftoi së fundmi se pajisjet iPhone do t’u kërkojnë përdoruesve të zgjedhin nga një gamë zërash kur vendosin për ndihmësin virtual, Siri-n.
Apple aktualisht lejon përdoruesit të zgjedhin midis një zëri mashkullor dhe femëror, si dhe gjashtë thekse të ndryshme duke përfshirë theksin amerikan, britanik, indian dhe irlandez, por për pajisjet në SHBA, zëri default (pra ai që përcaktohet automatikisht nga pajisja, para se përdoruesi të përzgjedhë vetë) është zëri femëror. Në disa vende të tjera, zëri i Siri-t është mashkullor.
Apple u shpreh gjithashtu se do të shtojë dy zëra të rinj në Siri. Ndryshimet në Siri janë tashmë të disponueshme në iOS 14.5 beta dhe do të hyjnë në fuqi për ata që do të përditësojnë iOS më vonë gjatë vitit.
Stereotipat gjinorë midis asistentëve zanorë si Siri, Alexa e Amazon dhe Google Assistant kanë qenë prej kohësh një shqetësim. Në vitin 2019, një raport i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi që asistentët e zërit përjetësojnë idenë se “gratë duhet të jenë ndihmëse, të bindura dhe të gatshme, të disponueshme me një prekje të butonit ose me një komandë zëri”.