Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Kukësit pranë tunelit të Kalimashit. Ai është pritur nga dhjetëra demokratë dhe ka bërë një ndalesë tek tuneli i Kalimashit. Lideri demokrat u premtoi kuksianëve se pas 25 Prillit trau që ndan Shqipërinë me Kosovën nuk do të ekzistojë më. Sipas kryedemokratit vota për PD është ta për heqjen e traut dhe çdo pengese tjetër.
“Shikojeni edhe tre javë këtë tra. Më 25 prill Shqipëria voton ndryshimin. Kukësi voton ndryshimin dhe ndryshimi i parë për çdo shqiptar nga Konispoli në Podujevë do të jetë heqja e traut. Nuk ka kaluar shumë kohë nga ai moment që na i mbushi zemrat me një besim si qytetarë të një kombi që ndërtoi tunelin më të gjatë në Ballkan dhe lidhi Shqipërinë me Kosovën. Vota për nr 9 është vota për heqjen e traut dhe çdo pengese,” tha Basha.
Ai gjithashtu rrugën e Kombit e ka quajtur si një nga sfidat e mëdha që është tejkaluar dhe një projekt madhor për Shqipërinë.