Pas një vere të nxehtë me valixhet e bëra gati dhe pastaj të lëna mënjanë, Mesi duket se ishte gati që të priste fundin e sezonit për t’u larguar nga Barcelona. Por pastaj ndryshuan shumë gjëra, mbi të gjitha u rikthye si president Joan Laporta dhe kapiteni filloi të mendonte seriozisht që mund të qëndronte te katalanasit.
Dëshira e tij e përhershme ka qenë që Barça të ketë një projekt të qartë dhe t’i ofrojë garanci për të ardhmen. Leo dëshiron që ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe duket se lëvizjet e fundit për të bindur Halandin po e bëjnë të mendojë realisht qëndrimin në Spanjë. Në ditët e fundit është duke reflektuar mbi të ardhmen, përtej impenjimeve të shumta që ka përditë në stërvitje. Sipas gazetës “AS” rinovimi me Barcelonën mund të vijë përpara fundit të sezonit dhe Laporta është gati që t’i ofrojë një kontratë të përjetshme kapitenit të tij. Pasi të mbyllë karrierën si futbollist, Leo do të ketë një post drejtuesi në klub dhe pastaj mund të ikë kur të dojë. Sigurisht që nëse kapiteni i katalanasve dëshiron të luajë futboll pas Barcelonës, mund të shkojë në Katar ose në SHBA, siç bëri Andres Iniesta. Por, do të jetë vetë ai kur të vendosë ta lërë futbollin.
NEJMAR – Duket se situata e rinovimit të Mesit me Barcelonën ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të PSG-ja. Nejmar Xhunior është shumë pranë firmës për kontratën e re me ekipin francez, por disa media ditën e djeshme publikuan lajmin se Nejmar ka ngrirë bisedimet sepse mund të rikthehet te Barcelona. Ai ka dëshirë të madhe që të ritakohet sërish me sulmuesin argjentinas. I menjëhershëm ka qenë reagimi nga mediat franceze, të cilat raportuan se Nejmar dhe klubi kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe shumë shpejt pritet zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje.