“Në sfidën e madhe për të bërë të arsyeshmen, atraktive”, ky është momenti me të cilin kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po përballet sot, sipas ish-deputetes demokrate, Grida Duma.
E ftuar në emisionin “AKrasta Show”, Grida Duma ka bërë një krahasim mes figurës së Bashës dhe kryeministrit Edi Rama, se si e sheh ajo në aspektin sociologjik.
Duma shprehet e bindur se Partia Demokratike po i propozon shqiptarëve një kryeministër të arsyeshëm, duke theksuar se “e arsyeshmja është shumë e vështirë që të shfaqet spektakolare. Kjo është vështirësia nëse do të bënim këto dy figura.”
Sa i përket figurës së Ramës, Duma tha se ai ka thirrur hakmarrjen tek shqiptarët, pasi një popull i varfër ka shumë hakmarrje brenda.
“Nuk është ky lideri që e çon përpara. Është ai që e zbut hakmarrjen. Ai i thirri inatit”- tha Duma ndër të tjera.
Pjesë nga deklarata:
Adi Krasta: Ku qëndron Lul Basha në këtë sekondë, sipas mendimit tënd sociologjik?
Grida Duma: Në sfidën e madhe për të bërë të arsyeshmen, atraktive.
Ky tjetri i flet publikut me manipulimin, me spekulimin, me batutën, duke i nxjerrë herë pas here dhe duke shfrytëzuar ‘nuk dua asgjë unë hiqja atij’. Pra duke shfrytëzuar inatin e njerëzve.
Çfarë bëri gjatë gjithë kësaj kohe?
Do bëj shtet tha dhe me shtet konceptoi ndëshkimin.
Arriti të bëjë marketing, reklamë, duke dalë para kangjellave të burgut dhe thirri hakmarrjen.
Një popull i varfër ka shumë hakmarrje brenda. Nuk është ky lideri që e çon përpara. Është ai që e zbut hakmarrjen. Ai i thirri inatit.
Adi Krasta: Ju po i thoni publikut shqiptar që ju propozimi një kryeministër i cili nuk është fantazmagorik, nuk është artistik, është i zakonshëm?
Grida Duma: Është i arsyeshëm! E arsyeshmja është shumë e vështirë që të shfaqet spektakolare. Kjo është vështirësia nëse do të bënim këto dy figura.
Por nuk ka spektakël më të poshtër se perdja që mbulon mjerimin, nuk ka spektakël më të zi sesa të marrësh pjesë dhe të jesh gjithmonë në auditorin e jetës tënde, asnjëherë protagonist.