Puna në Aeroportin e Rinasit është pezulluar për disa minuta për shkak të grevës që kontrollorët e trafikut ajëror kanë nisur dhe ditën e sotme. Kjo ka sjellë mbylljen e kullës së vrojtimit. Për pasojë është bërë e pamundur ulja e avionëve në pistë. Bëhet e ditur se avioni që është nisur nga Greqia është kthyer pas.
Punonjësit kanë firmosur një deklaratë ku shkruhet se janë të paaftë të punojnë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë në punë, ndikuar edhe nga pandemia.
Kërkesat e kontrollorëve: Rikthim i kolegëve në punë. Shfuqizim i vendimeve të bordit. Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive. Transparencë financiare e plotë për vitin 2020. Një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.
Ndërkohë mësohet se ministrja Belinda Balluku është nisur drejt aeroportit për të negociuar me kontrollorët.
Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA) paralajmëroi protestë pasi ishin të pakënaqur me trajtimin dhe kushtet e punës prej një viti, që nga fillimi i pandemisë. Në një deklaratë zyrtare, Sindikata shkruante se atyre u janë ulur pagat dhe se u janë pezulluar të drejtat e fituara me kontratën kolektive të punës.