Tre kontrollorët të cilët u vunë në pranga një ditë më parë dhe akuzohen për “shpërdorim detyre” kanë dalë sot para trupës gjykuese. Prokuroria ka dhënë pretencën për Flora Ndrecën, Muhin Mezinin dhe Armando Fezgën.
Për Flora Ndrecën, me argumentin se ka dhe një fëmijë të mitur, Porkuroria ka kërkuar “arrest shtëpi”. Për dy të tjerët, Muhin Mezinin dhe Armando Fezgën ka kërkuar “arrest me burg”.
Ndreca, e cila është një nga tre të arrestuarit e vetëm pas protestës që bllokoi aeroportin e Rinasit, ka bërë me dije se nuk ishte ndjere mirë më datë 6 prill, ndaj dhe kishte kërkuar disa ditë pushim.
Sipas dëshminë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Ndreca pretendon se menjëherë pasi ka kërkuar pushim, është kthyer nga rruga dhe është pushuar nga puna bashkë me 4 kolegë të tjerë.
Ndërsa Rezart Kthupi, avokati i kontrollorëve të arrestuar ka deklaruar se të akuzuarit janë në gjendje të rënduar psikologjike. Ai bën të ditur nuk ka pasur ndikim politik, por kjo çështje u bë e tillë vetëm pasi ndodhi. Avokati thotë se ka një ngërç tek Prokuroria, pasi akuzon vetëm 3 kontrollorë si organizatorë, por jo ekzekutorët e tjerë që nënshkruan deklaratën e paaftësisë për punë.