Urdhri i Farmacistëve ka reaguar pas deklaratës së Agjencisë së Kontrollit të Barnave se takimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me ta ishte bërë për qëllime politike.
Urdhri e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e Agjencisë së Barnave se në Shqipëri janë importuar 34500 vaksina kundër gripit, duke theksuar se vetëm 9500 vaksina janë pajisur me autorizim për tregun e hapur.
Teksa thotë se për të shprehur problemet e tregut farmaceutik do të takohen me këdo që dëgjon problemet e tyre, Urdhri thekson se “koha ka treguar se Urdhri i Farmacistëve nuk përdoret dhe nuk bëhet fasadë e askujt”.
Deklarata e plotë:
Urdhri i Farmacistëve është ent publik i pavarur, qëllim dhe mision parësor ka shëndetin e popullatës.
Urdhri i Farmacistëve nuk i kërkon leje Agjencisë dhe askujt për takimet dhe aktivitetet që zhvillon. Urdhri është i hapur dhe i gatshëm të takojë e të informojë mbi problematikat e sistemit farmaceutik, çdo institucion apo individë, qofshin këta edhe drejtues partish apo organizatash.
Koha ka treguar se Urdhri i Farmacistëve nuk përdoret dhe nuk bëhet fasadë e askujt.
Në lidhje me çështjen e vaksinave të gripit, Urdhri i qëndron deklaratës së bërë se vetëm 9500 vaksina janë pajisur me autorizim për tregun e hapur.
Të PAVËRTETA janë shifrat që Agjencia deklaron, jo vetëm se në të njëjtën deklaratë një herë thonë që deri tani janë importuar 34500 dhe një herë thonë që në shtator janë importuar 70000 vaksina, por se E VËRTETA ËSHTË SE NË TREG VAKSINA NUK KA.
Nëse ka, Agjencia të na tregojë ne dhe popullatës se ku janë.
Urdhri i Farmacistëve, është i gatshëm që të debatojë institucionalisht dhe publikisht, kurdo dhe kudo, me AKBPM dhe me çdo institucion tjetër, mbi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me barnat dhe shërbimin farmaceutik.