Ambasadorja Yuri Kim ka sulmuar kandidatin për deputet të Partisë SocialDemokrate, Tom Doshi. E ftuar në emisionin “Përballë”, Kim pa përmendur emra tha se shqiptarët nuk duhet që të votonin personat që i paguanin faturat e spitalit qytetarëve, ndërsa shtoi se veprat e mira jo domosdoshmërisht nënkuptojnë se s’kemi të bëjmë me kriminelë.
“Mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur, e dinë se kush bën çfarë. Ne u kemi treguar se kush nuk duhet të jetë në parlament. Ky person është dikush që i ndalohet në SHBA, në të gjithë vendin dhe kjo ka më shumë peshë se çdo faturë dyqanesh apo spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde, nuk do të thotë që është njeri i mirë. I quaj kriminelë sepse përpjekja për të blerë votën është krim,”-tha ajo.
Por pse Kim nënkupton Tom Doshin?
Vetëm pak javë më parë, kandidatja për deputete me PSD-në, Senera Hoxha u shpreh se shkak për të hyrë në politikë ishte bërë humanizmi që ajo kishte pikasur nga kryetari i partisë, Tom Doshi. Sipas saj, ai paguante faturat e spitaleve të qytetarëve dhe ky gjest e kishte prekur.