Dita e djeshme, ishte një ditë e shënuar për qytetarët e Kukësit, por jo vetëm, pasi u vendos në përdorim Aeroporti Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”.
Udhëtarët e parë që zbarkuan në aeroportin e ri, ishin emigrantët shqiptarë në Angli.
Ata fillimisht zbritën në Aeroportin “Nënë Tereza”, në Tiranë, duke qenë se Angli – Kukës, ende nuk ka një linjë direkte fluturimi. Në Tiranë, grupin e emigrantëve e priti kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Këta të fundit, u bashkuan në avionin e emigrantëve dhe u drejtuan në Kukës, ku u bë dhe një ceremoni. Sakaq, ditën e sotme, kryeministri Rama i ka uruar mëngjesin ndjekësve të tij me dy foto nga çasti i hapjes së Aeroportit Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”.
“MIRËMËNGJES dhe me këto dy foto nga çasti i hapjes së Aeroportit Ndërkombëtar “Zayed – Flatrat e Veriut”, ju uroj një ditë të mbarë ”, shkruan Rama.