“U traumatizuam sapo morëm vesh lajmin që djali ishte plagosur me armë. Ne jemi familje demokratësh që prej fillimit. Dhe djali ka lindur me PD-në”.
Kështu deklaron babai i Bledar Okshtunit, 27-vjeçarit që u plagos sot me armë zjarri në zyrën elektorale të PD-së në Kavajë. Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar për ‘News24’ një prononcim nga babai i sekretarit të PD-së për Kavajës, Vullnet Okshtunit.
Ky i fundit, mes tensioneve dhe merakut për shëndetin e të birit, tregoi se ngjarja kishte ndodhur brenda shtabit elektoral, atje ku mblidheshin në çdo kohë. Mes të tjerash ai pohoi se djali kishte marrë një plumb në këmbë dhe se ndodhej jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu i moshuari tha se nuk kanë konflikte personale me askënd, ndërsa shtoi se nuk do të reshtin së mbështeturit PD-në.
“U traumatizuam sapo morëm vesh lajmin që djali ishte plagosur me armë. Jam demokrat që prej fillimit edhe djali ka lindur demokrat. Jemi të angazhuar si fis pranë PD-së. Unë mësova se ngjarja ka ndodhur brenda në shtabin elektoral, ku ne qëndrojmë për çdo ditë. Do ta mbrojmë deri në fund votën e demokratëve të Kavajës dhe nuk tërhiqemi para asnjë presioni. Djali është mirë, ka vetëm një plumb në këmbë. Ne si familje do vazhdojmë të jemi me PD. S’dua të komentoj në lidhje me agresorët, por ne nuk kemi konflikte personale me askënd. Nuk dimë se ça ka ndodhur mirë.”, tha babai i të plagosurit teksa qëndronte jashtë ambienteve të spitalit.