Tupi gjykues në Minesota e shpali ish-oficerin e policisë në Minneapolis, Derek Chauvin, fajtor për të gjitha akuzat e vdekjes së George Floyd.
Vendimi u mor dje, më 20 prill dhe grupit iu deshën pak më shumë se 10 orë për të arritur në një vendim. Chauvin u shpall fajtor për tre akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim. Garancia e tij u revokua menjëherë dhe u vendos në paraburgim. Dënimi mund të jepet brenda dy muajsh dhe Chauvin mund të kalojë dekada në burg.
Në Minesota, vrasja e shkallës së dytë ka një dënim maksimal prej 40 vjetësh burg. Vrasja e shkallës së tretë dënohet me deri në 25 vjet burg dhe vrasja pa paramendim dënohet me burgim deri në 10 vjet.
Oficerët e policisë rrallë janë dënuar për vrasje që ndodhin në krye të detyrës dhe vendimi në këtë gjyq është parë gjerësisht si një tregues se si sistemi ligjor amerikan do të trajtojë raste të tilla në të ardhmen.
Avokati i familjes Floyd, Ben Crump, tha se ky vendim shënoi një “pikë kthese në histori” për SHBA-të. Presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris telefonuan familjen Floyd pas vendimit.
Vitin e kaluar, më 25 maj, Chauvin vendosi gjurin në qafën e George Floyd për gati 10 minuta ndërsa Floyd i prangosur qëndronte i shtrirë në tokë, edhe pse thoshte se nuk mund të merrte frymë.