Shefi mjekësor i BioNTech tha për CNBC dje se njerëzit mund të kenë nevojë për një dozë të tretë të vaksinës së prodhuar nga ata kundër Covid-19 pasi imuniteti kundër virusit zbehet me kohën, duke rënë dakord me komentet e mëparshme të bëra nga CEO i Pfizer, Albert Bourla.
Dr. Ozlem Tureci, bashkëthemeluese dhe CMO e BioNTech, e cila zhvilloi vaksinën Covid me Pfizer, tha se ajo beson se njerëzit do të duhet të vaksinohen kundër koronavirusit çdo vit, si për gripin sezonal. Kjo sepse, siç tha ajo, shkencëtarët presin që imuniteti i shkaktuar nga vaksinat kundër virusit të ulet me kalimin e kohës.
Komentet e Tureci vijnë pasi Bourla tha në një intervistë më 15 prill se njerëzit mund të kenë nevojë për një dozë përforcuese, ose dozën e tretë, të vaksinës kundër Covid-19 brenda 12 muajve nga vaksinimi i plotë. Ai gjithashtu tha se është po ashtu e mundur që njerëzit do të duhet të vaksinohen çdo vit.
Pfizer tha në fillim të këtij muaji se vaksina e tyre ishte më shumë se 91% efektive në mbrojtjen kundër virusit COVID-19 dhe më shumë se 95% efektive kundër sëmurjes së rëndë deri në 6 muaj pas dozës së dytë. Studiuesit thonë se ata ende nuk e dinë se sa zgjat mbrojtja ndaj virusit pas 6 muajsh, megjithëse zyrtarët e shëndetit publik dhe ekspertët e shëndetit presin që mbrojtja të zbehet pas një kohe.
Edhe CEO i Moderna-s, Stephane Bancel tha për CNBC javën e kaluar se kompania shpreson të ketë në dispozicion në vjeshtë një dozë përforcuese për vaksinën e saj.