Historia e zgjedhjeve në vendin tonë apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme.
Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi Xhonturqit.
Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë.
Përfaqësuesit shqiptarë morën pjesë në votimet e Parlamentit të Turqisë ku u përfaqësuan nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati. Ndërsa në zgjedhjet e periudhës 1921-1924 me Ahmet Zogun, Fan Nolin, Padër Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Hil Mosin, Hoxhë Kadria, Ali Këlcyrën, Hasan Prishtinën, Mustafa Krujën, Pandeli Vangjelin, Sejfi Vllamasin, Sulejman Delvinën.
Po t’i hedhim një sy shkallës së arsimimit të deputetëve të Parlamentit Shqiptar dhe formimit të tyre intelektual nga viti 1921 kur u zhvilluan zgjedhjet e para dhe deri në fillimin e viteve ’90-të kur dhe u shemb regjimi komunist, do të shohim se ajo gjë ka pasur një invers. Kështu, pothuaj pjesa më e madhe e deputetëve shqiptarë të parlamentit të parë të dalë nga zgjedhjet e 21 prillit të vitit 1921 ishin shkolluar dhe diplomuar në universitetet e Turqisë dhe atyre të shteteve të tjera të Europës (kryesisht asaj perëndimore), gjë e cila vazhdoi më tej edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut.
Fushatat elektorale të zgjedhjeve për Kuvendin Popullor që zhvilloheshin një herë në katër vjet, PPSH-ja i konsideronte si aksionin më të madh politik dhe vinte në dispozicion të saj të gjithë arsenalin e saj propagandistik, me radio, gazeta dekor. Gjatë gjithë ditës së votimeve Radioja dhe TV Shqiptar jepnin përqindjet e pjesmarrjes në votime për të gjitha rrethet e vendit, të cialt ishin në garë me njëri tjetrin se kush t’i mbaronte ato sa më parë.
Me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, qeveria komuniste e Tiranës që kryesohej nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, shënoi dhe fundin e shpresave për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike me një opozitë legale. Vetëm pak muaj pas atyre zgjedhjeve, u arrestuan dhe u nxorrën para gjyqit një pjesë e madhe e atyre kandidatëve apo deputetëve që kishin ngritur zërin për zgjedhje të lira, duke u ekzekutuar 17 prej tyre.
Më vonë në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1945, ku nën maskën e Frontit Demokratik, Partia Komuniste zgjodhi emra të cilët në vitet që pasuan, shkalla e arsimimit të deputetëve në Kuvendin Popullor të Shqipërisë erdhi gjithnjë në rënie dhe në fundin e viteve ’80-të, jo vetëm që nuk kishte më asnjë deputet që të ishte diplomuar jashtë, por edhe në Universitetin e Tiranës numëroheshin “me kokrra” të diplomuarit. Nën parrullën “Parti e klasës punëtore”, Enver Hoxha e mbushi Kuvendin e Shqipërisë me deputetë të pashkolluar.
Megjithatë këto janë periudhat e zgjehdjeve në vendin tonë që nga Perandoria Osmane:
- Përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin e Turqisë
- Tentativa për zgjedhje që në 1877-ën
- Zgjedhjet nga vitit 1921 deri në 1939-ën
- Zgjedhjet e para, 2 dhjetor 1945, me gogla
- Zgjedhjet nga ’45-sa deri në 1990-ën
- Votimet me valle dhe muzikë popullore
- Votimet nga përfaqësues të diplomuarit në Europë!
Shkëputur nga artikulli i Memorie.al