Gjatë kërkimeve në terren të policisë kriminale të rrethit te Krujes për të zbardhur dhe dokumentuar plagosjen e ndodhur ditën e djeshme në Tapizë, ku mbeti i plagosur 35-vjeçari Ervin Kodra, kushëri i Durim Bamit, policia ka gjetur në fshatin Valias autoveturën që dyshohët të jetë përdorur nga autorët për të kryer plagosjen.
Autovetura është Volkswagen Golf 5, totalisht e djegur. Makina nuk ka as numër shasie pasi i ështe fshirë.
Brenda saj nuk janë gjetur armë apo sende të tjera.
Burime nga Policia bënë të ditur se 35-vjeçari po udhëtonte me mjetin e tij kur u qëllua nga një person me pistoletë. Kodra ka shkuar në Spitalin e Traumës me makinën e tij, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga Policia, Ervin Kodra është emër i njohur për blutë e Krujës, ndërsa është dhe kushëri i Durim Bamit dhe dyshohet se atentati mund të ketë lidhje me këtë fakt.
Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Policisë Krujë, të cilët shoqëruan në ambientet e komisariatit pesë shtetas, që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes.
“Më datë 04.11.2020, rreth orës 15:20, në Tapizë, Krujë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur me armë zjarri, shtetasi E. K., 35 vjeç”, njoftoi fillimisht Policia.
Po ashtu, burimet zyrtare bënë të ditur se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa merr kujdes mjekësor në Spitalin e Traumës. Një grup hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur mbledhjen e provave, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes që tronditi banorët e zonës.