Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë morën vendim të premten të rifillojnë imunizimin me vaksinën Johnson & Johnson kundër COVID-it, pas një pauze 11-ditore. Ekspertët thanë se përfitimet prej saj i tejkalojnë rreziqet duke iu referuar rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut, që janë evidentuar nga përdorimi i vaksinës që merret me një dozë të vetme.
Nga rreth 8 milionë njerëz që kanë marrë vaksinën J&J janë evidentuar 15 raste tek të cilët është zhvilluar një lloj tejet i pazakontë i mpiksjes së gjakut. Të gjitha ishin gra, shumica nën moshën 50 vjeç. Tre prej tyre kanë vdekur dhe shtatë vazhdojnë të jenë të shtruara në spital.
Por sipas zyrtarëve federalë të shëndetësisë vaksina është thelbësore për të luftuar pandeminë dhe se rreziku i vogël i mpiksjes së gjakut mund të trajtohet me paralajmërime për të ndihmuar gratë e reja që të marrin vetë vendim nëse duan ta përdorin vaksinës në fjalë apo një tjetër.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se vaksina J&J ka përparësi të rëndësishme për disa njerëz që e prisnin me padurim kthimin e saj. Administrata e Ushqimit dhe Barnave azhurnoi fletëpalosjet e publikuara në internet me informacione për vaksinat me synimin që imunizimi me J&J të rifillojë të shtunën.
Drejtoresha e CDC-së Dr. Rochelle Walensky tha se pauza duhet të rrisë besimin në sigurinë e vaksinave, duke theksuar se “ne po i trajtojmë këto çështje me seriozitet”.
Ekspertët vendosën për rifillimin e vaksinimeve pa kufizime në moshë, por e bënë të qartë se imunizimi me J&J duhet të shoqërohet me paralajmërime të qarta mbi mpiksjen e gjakut.
Marrë nga VOA