Në Shqipëri, që prej natës së mbrëmshme ka nisur numërimi i votave për parlamentin e ri të vendit. Ndërsa ka përfunduar procesi për gati 68 përqind të qendrave të votimit, rezultati i deritanishëm jep fituese Partinë socialite të Kryeministrit Edi Rama. Nëse do të konfirmohet, ai do të marrë mandatin e tretë, duke shënuar kështu një rekord që nuk e ka arritur askush më parë, që nga vendosja e pluralizimit politik. Por nga ana e saj dhe Partia Demokratike shprehet e bindur se me pjesën e mbetur të kutive, fitorja do t’i buzëqeshë asaj.
Në nivel kombëtar, socialistët kanë marrë 48.8 përqind të votave. Koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike e zotit Lulzim Basha, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë marrë respektivisht deri tani 39.3 përqind dhe 6.8 përqind, ose së bashku 46.1 përqind të votave. Për shkak të sistemit proporcional rajonal, diferenca me pak më shumë se 2 pikë përqindje, nuk përkthehet në të njëjtën diferencë të ngushtë mandatesh.
Me rezultatet e deritanishme socialistët mund të sigurojnë 73 vende në parlament. Koalicioni i Partisë Demokratike rezulton me 60 mandate ndërsa LSI me 5, ose së bashku 65 mandate. Në orët e fundit, shifrat po lëvizin, dhe janë të paktën 3-4 qarqe ku rezultati mund të lëvizë sërish. Surprizë shfaqet rezultati i Partisë Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi, e cila deri tani ka siguruar 2 mandate për në parlamentin e ardhshëm, një në Tiranë dhe një tjetër në Shkodër. I vënë në qendër të akuzave, veçanërisht nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, për shkak të vendimit të marrë vite më parë nga Sekretari amerikan i Shtetit, që i ndaloi atij dhe familjes së tij, hyrjen në territorin e SHBA-ve, zoti Tom Doshi njoftoi sot tërheqjen e tij nga parlamenti i ardhshëm duke njoftuar se ky vendim nuk ishte një tërheqje nga PSD, dhe se deputetët e saj do të ishin të gatshëm të mbështesnin Partinë socialiste.
Harta e 12 qarqeve të vendit, sheh veriun e Shqipërisë të kontrolluar nga opozita, e cila kryeson në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Lezhës dhe Dibra. E gjithë pjesa tjetër, 8 qarqet e tjera, për momentin rezultojnë të jenë fituara nga socialistët që kanë marrë më shumë deputetë.
Nga panorama e deritanishme, e cila ka qenë thuajse konstante gjatë gjithë gjithë ditës, me luhatje të vogla, është se socialistët rezultojnë të kenë ruajtur në nivel kombëtar të njejtin numër votash, madje pak më shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017. Nga ana tjetër Partia Demokratike, ka pësuar një rritje të ndjeshme me të paktën 5 pikë përqindje, ndërsa LSI-ja ka një rënie drastike. Ndërsa në përqindje, kjo parti shfaqet e përgjysmuar në mbështetjen popullore, e përkthyer në mandate, disfata e saj është dhe më e thellë duke qenë se në 2017 mori 19 vende ne parlament, ndërsa tani luhatet mes dhe 5 apo 6 vendeve.
Me përfundimin e rezultateteve do të jetë interesante gjithashtu të shihet se sa vota kanë marrë partitë e reja politike që u futën në këtë garë, ku pjesa e madhe u formuan nga ish figura të Partisë Demokratike, për të kuptuar se në çfarë mase ato e kanë penalizuar forcën kryesore të opozitës.
Pas nxjerrjes së rezultatit për partitë, fletët e votimit do të numërohen sërish, për të nxjerrë votat që ka marrë secili kandidat, duke qenë se këtë herë ishte përfshirë dhe vota preferenciale. Deri sot ky rezultat ka dalë vetëm për një zonë në Tiranë ku u aplikua votimi dhe numërimi elektronik.
Pavarësisht të dhënave të deritanishme, të dyja palët po shpallin fitoren. Kjo duket më e theksuar në Tiranë, ku gjatë ditës ka patur shfaqje të njëpasnjëshme të përfaqësueve të të dy krahëve duke njoftuar fitoren në këtë apo atë njësi, apo dhe duke përgënjeshtruar njëri tjetrin.
Opozita po këmbëngul se rezultati që jep në avantazh Partinë Socialiste, i detyrohet sipas saj, faktit që po numërohen pikërisht kutitë e përzgjedhura nga socialistët, prej bastioneve të tyre. “Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të Partisë Socialiste dhe një fitore, një rritje të numrit të votave për Partinë Demokratike, për koalicionin për ndryshim. Ky është fillimi pas kutive që shpresonin t’i kishin bastion, ku qartësisht janë ndëshkuar siç ishte zona 10 në Tiranë, ku Partia Demokratike ka një rritje prej 30% dhe PS-ja ka një rënie prej 200 votash, apo në zonën e Memaliajt, Këlcyrë, Përmet ku po kështu janë ndëshkuar qartësisht nga qytetarët do të vij dhe radha e kutive të tjera. Por ajo që është e qartë si dritë dielli, është deri sa janë ndëshkuar në ato që i ishin bastione, ne presim që vota për Ndryshim të vazhdojë dhe fitorja e Aleancës për Ndryshim të konfirmohet në të gjithë vendin”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.
Procesi i numërimit po ndiqet dhe nga ambsadorët e huaj këtu në Shqipëri, edhe për faktin se historikisht, palët kanë penguar njëra-tjetrën duke sjellë zvarritje të procesit, ndonëse e gjitha duket e pakuptimitë sepse herët a vonë, rezultati është aty dhe do të dalë.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim së bashku me dy ambasadorë të tjerë europianë tha sot pas vizitës në një nga qendrat e numërimit se “tani që voyuesit e kanë thënë fjaën e tyre, detyra e kandidatëve dhe udhëheqësve politik është që të mbeten të qetë e të presin me durim rezultatin”. Ajo tha se e dinte që “që me entuziazmin e çastit, palët kanë shpallur fitoren, por nuk kemi mbërritur deri aty”, duke përsëritur thirrjet për qetësi.
Në të njejtën linjë ishte dhe ambasadori i Delegacionit europian, Luigi Soreca, i cili vizitoi një qendër ku votimi ishte ndërprerë, tha se të gjithë “duhet të presin pa u nxituar të dalin në përfundime, derisa të numërohet dhe vota e fundit në të gjithë vendin”.
Zoti Soreca bëri të ditur se të paktën 50 ekipe të dlegacionit europian do të vijojnë të ndjekin nga afër procesin e numërimit./VOA