Numërimi i votave preferenciale ka përfunduar tashmë edhe në Elbasan ku një ndër kandidatët demokratë, pikërisht Luçiano Boçi theu herësin duke përmbysur kështu edhe listën fillestare të kandidatëve.
PD mori 6 mandate në Elbasan, kurse Boçi ishte renditur si nr.7 i demokratëve në këtë qark.
Megjithatë, me 10 930 vota, Boçi arrin të futet në Kuvend pasi ka thyer herësin prej prej 9 646 votash që ka kishte koalicioni në qark.
Por kush largohet?
Kodi Zgjedhor parashikon që në rastet kur thyhet herësi nga kandidatët poshtë listës fituese, skualifikohet kandidati më pak i votuar në listën e fituesve me kushtin që të mos jetë grua. Kandidati më pak i votuar në listën e PD-së në Elbasan është Flutura Açka, por duke qenë se është grua, ajo nuk mund të skualifikohet nga Boçi.
Rrjedhimisht, kërkohet një burrë që ka marrë më pak vota se të tjerët, dhe siç shihet nga lista ende jozyrtare e PD-së për Elbasanin, ai është Eugen Isaj.
Ky i fundit ka marrë 3 663 vota personale, të cilat nuk i mjaftojnë për të marrë mandatin e deputetit.